Çfarë thonë
klientët tanë
Pyetje
të Shpeshta
Çfarë është kredia?
Kredia është një shumë parash e marrë hua që duhet të kthehet brenda një periudhe të caktuar kohe së bashku me interesin.
Shuma e marrë quhet principal, ndërsa interesi është kostoja e përdorimit të parave. Afati i kredisë përcakton kohën që keni për ta shlyer atë.
Kreditë përdoren zakonisht për blerje të rëndësishme që nuk mund të përballohen menjëherë, si blerja e një shtëpie, investime në biznes, studime apo aktivitete bujqësore.
Është shumë e rëndësishme të siguroheni që mund ta paguani këstin çdo muaj, përndryshe mund të përballeni me vështirësi financiare.
Çfarë duhet të dini para se të merrni një kredi?
Nëse jeni duke menduar për të marrë një kredi, këshillat më poshtë do t’ju orientojnë të parapërgatiteni:
- Sqaroni nevojat tuaja për kredi. Llogarisni saktë shumën që ju duhet për të marrë kredi. Mos harroni se jeni ju që do ta paguani!
- Qartësoni buxhetin tuaj. Llogarisni sa këst kredie mund të përballoni çdo muaj. Gjatë kalkulimit, mos harroni të lini vend edhe për shpenzime të papritura.
- Përgatisni dokumentacionin e nevojshëm. Për të përfituar një kredi do t’ju duhet të vërtetoni identitetin, të ardhurat dhe pasuritë me dokumentacion justifikues.
- Flisni me oficerët tanë të kredisë. Mund të drejtoheni pranë zyrave të ASF për të diskutuar nga afër me një Oficer Kredie në lidhje me procesin e aplikimit, afatin kohor dhe këstet e kredisë, për të kuptuar nëse keni mjete për ta shlyer kredinë rregullisht.
Pse nevojitet garantuesi dhe cilat janë përgjegjësitë e tij?
Garantori është përgjegjës për shlyerjen e kredisë njësoj si kredimarrësi dhe ndihmon këtë të fundit të plotësojë kushtet për të përballuar një kredi.
Sa do të paguaj?
Është e rëndësishme që në momentin që aplikoni për një kredi të jeni të vetëdijshëm për shumën që do të paguani. Pyesni oficerin e kredisë ose persona të tjerë përgjegjës t’ju bëjnë me dije për të gjitha interesat, komisionet dhe penalitetet që do të paguani përpara se të firmosni kontratën e kredisë.
Çfarë është kontrata e kredisë?
Kontrata e kredisë është një marrëveshje ndërmjet dy palëve ku njëra palë, “huadhënësi”, angazhohet të ofrojë një kredi për palën tjetër, “huamarrësin”. Huamarrësi është personi që merr vlerën e kredisë nga huadhënësi me kusht që të paguajë principalin dhe interesin.
Kontrata e kredisë përfshin elementet e mëposhtme:
- të dhëna të plota për identitetin dhe adresat e palëve kontraktore;
- vlerën totale të kredisë dhe kushtet për lëvrimin e saj;
- afatin e maturimit të kredisë;
- normën e interesit;
- normën efektive të interesit dhe totalin e kostos së kredisë;
- shumën e këstit, numrin dhe periodicitetin ose datat e çdo kësti, si edhe çdo shpenzim tjetër lidhur me dhënien dhe përdorimin e kredisë, të paraqitur në planin e shlyerjes;
- garancitë e vendosura;
- të drejtën e tërheqjes nga kontrata e kredisë sipas përcaktimit të rregullores;
- të drejtën për shlyerjen e kredisë para afatit dhe përfitimin e reduktimit të kostos totale të kredisë.
Një kopje e kontratës së nënshkruar nga palët i jepet personalisht huamarrësit në momentin e nënshkrimit.
Nëse nuk mund ta shlyej kredinë, çfarë duhet të bëj?
Nëse jeni në vështirësi për të kryer pagesën e kredisë sipas kalendarit fillestar, institucioni ju mirëpret të konkludoni një marrëveshje të re, e cila do të përshtatet me kushtet e reja të aftësisë suaj paguese.
Është e rëndësishme të qëndroni në kontakt me institucionin kredidhënës. Mungesa e komunikimit mund të konsiderohet refuzim për gjetjen e një rruge të përbashkët. Në këto kushte, institucioni kredidhënës mund të kërkojë ndjekjen gjyqësore të rastit deri në ekzekutimin e vlerës së kredisë së paarkëtuar, brenda afateve të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë.
Çfarë duhet të bëj pas mbylljes së kredisë?
Është e rëndësishme që pasi të mbyllni kredinë të siguroheni me një vërtetim nga institucioni kredidhënës për mbylljen e detyrimit, si edhe të ndiqni të gjitha praktikat për lirimin e kolateralit të lënë garanci për kredinë e mbyllur.